Një 12 vjeçar ndërroi jetë në spitalin e Tiranës pasi u dërgua me urgjencë nga spitali i Korçës.
Mësohet se i mituri është nga fshati Pocestë ndërsa ishte nxënës në klasën e 7-të të shkollës në fshatin Vashtëmi.
Sa i përket rrethanave, burime nga policia bëjnë me dije se i mituri është dërguar në urgjencën e Korçës me tension të lartë ndërsa pas kontrollit është nisur menjëherë drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
I mituri ka pësuar arrest kardiak pasi u shtrua ne Pediatrine e Tiranës. Ai është shtruar dy herë në spital për shkak të problemeve shëndetësore që mund të lidhen me zemrën dhe diabetin.
Për shkak të moshës së re dhe rrethanave të vdekjes së papritur, policia ka nisur mëngjesin e sotëm hetimet lidhur me rastin për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të miturit.
Kanë qenë familjarët ata që kanë deklaruar para uniformave blu që djali i tyre ka pësuar tension të lartë dhe që ka patur herë pas here probleme shëndetësore.
Pritet në vijim të kryhet ekspertiza mjeko ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.
Deri më tani, familjarët nuk kanë pretendime për vdekjen e të miturit.