Viktima, gruaja e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit!
Mbrëmjen e djeshme Prishtina u trondit nga një krim i rëndë,
ku mbeti e vrarë një grua.
33-vjeçarja e identifikuar si shtetasja,
Liridona Murseli, u vra me armë zjarri në rrugën “Dalip Alshiqi”.
Viktima ishte në makinë së bashku me dy fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli, ky i fundit ish-këshilltar i Behgjet Pacollit.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjentë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë në një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mediat në Kosovë shkruajnë se nga dyshimet e para bëhet fjalë për një rast grabitjeje. Dyshohet se krimi ndodhi në kohën kur Naim Murseli bashkë me gruan dhe dy fëmijët ndodheshin në makinë kur dy grabitës i zunë pritë me automjetin e tyre.
Ndërkohë bazuar në deklaratën e Naim Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë ka deklaruar se hajnat, fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat më pas ka pasur të shtënë me armë.
Personat e dyshuar kanë qenë me një makinë të tipit BMW me targa të huaja dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, reagoi në lidhje me ngjarjen e rëndë. Në një postim në Facebook, Pacolli theksoi se ndan dhimbjen me familjen e të ndjerës, Liridona Murseli.
“Lajm i tmerrshëm për tragjedinë në familjen e Naim Murselit. Dhimbjen time e ndaj me familjen e të ndjerës Liridona!”.