Pak javë më parë, në qendrën e emigrantëve “Brook House”,
Britani, një 37-vjeçar shqiptar u vetëvra,
i shtyrë edhe nga kushtet e rënduara shëndetësore por edhe dhuna e punonjësve.
Një shqiptar me pseudonimin Agim (nuk do të tregojë emrin e vërtetë)
thotë se emigrantët mbahen në të njëjtin vend me kriminelët dhe ambienti ishte si një burg i sigurisë së lartë.
Ai thotë se shpesherë oficerët ushtrojnë dhunë ndaj shqiptarēve duke i trajtuar ata si kriminelë.
“Kam shkuar në atë qendër në orën 23:00, në 9 qershor.
Vetëm strukrura e atij vendi është si burg i vërtetë.
Duhet të kalosh 4 dyer hekuri. Ka masa të rrepta sigurie sikur ne të ishim kriminelët më të mëdhenj. Nuk mendoj se është normale për një azilantë të trajtohet si kriminel. Dhomën e ndaja me një tjetër. Ushqimi është katastrofë. 13 orë qëndroje në izolim, shpesh përdoret forcë e panevojshme nga oficerët. Kur duhet të depërtohet dikush, vinin 10-15 oficerë, e merrnin me dhunë. Shumica aty ishin shqiptarë. Aty ka pasur edhe kriminelë dhe ne na linin në të njëjtën vend me ta. Jemi trajtuar njësoj si ata”.
Ai tha se gjatë qëndrimit brenda këtij kampi ka parë persona që kanë vrarë veten apo kanë tentuar të vrasin veten. Sipas tij, për shkak të dhunës dhe kushteve të këqija, të gjitha emigrantët përjetojnë depresion, por nuk u ofrohen psikologë.
“Në një vend të atillë ku trajtohesh në mënyrë çnjerëzore, përjeton dhe depresion. Ne u munduam të ndihmonim njëri-tjetrin. Të thoshin se duhet të flasësh me oficerët, ata na i sillnin si psikolog. Por, asnjë nuk kishte trajnim për psikolog. Ka pasur njerëz që mendonin vetëvrasjen, kanë prerë damarët, kanë tentuar të vetëdigjen, kanë tentuar të presin veten në stomak ose gjoks. Aty, sikurse e thashë, kalon në depresion, edhe sikur të jesh njeriu më i lumtur në botë”.