Mjeku kardiolog Elton Qeli tha se me ardhjen e të nxehtit,
njerëzit duhet të bëjnë më shumë kujdes me ushqimet që konsumojnë.
Ai tha se duhet përdorur sa më pak alkooli dhe pijet me sheqer, ndërsa këshilloi konsumimin e vakteve me fruta dhe perime të stinës si dhe konsum të bollshëm të ujit.
“Subjektet që mund të kenë ndikim nga temperaturat e larta jo gjithmonë mund të kenë simptoma të mirëfillta që mund të lidhen me temperaturat e larta. Ndonjëherë mund të kenë djersitje më të shtuar, dhimbje koke, marrje mendsh, ndjesi vilanie e ndonjëherë mund të kenë gjendje të fikëti. Shkalla e simptomave është shumë relative në varësi të vetë personit”,-tha kardiologu.
Ai dha disa këshilla edhe për sa i takon ushqimeve që konsumojmë.
“Duhet të ushqehen në mënyrë të rregullt, sipas vakteve normale, duhet të konsumojnë ujë, konsumi i frutave dhe perimeve të stinës është shumë i rëndësishëm pasi ato mbajnë në vetvete një sasi të ujit e cila është e rëndësishme ashtu sikurse uji i thjeshtë në rregullimin e balancave hidro-elektrolitike në organizëm, pra të ujit dhe të kripërave minerale. Është shumë i rëndësishëm mos abuzimi në aspektin që të mos jenë vakte shumë të mbingarkuara por të ushqehen në mënyrë të rregullt. Është shumë e rëndësishme konsumi i lëngjeve dhe i ujit. Shumë njerëz prihen të konsumojnë edhe alkoolin dhe pijet me gaz, pijet me sheqer. Këto kanë efekte negative në shëndet”,-tha kardiologu per Euronews Albania.