Histori e dashurisë mes Romeos dhe Heidit ka përfunduar zyrtarisht që në gusht,
duke sjellë edhe largimin e ish-finalistes së “Big Brother” nga Shqipëria. Pasi jetoi për disa muaj e vetme në Tiranë, Heidi ka zgjedhur të nisë një kapitull të ri jashtë vendit.
Ndërkohë, Romeo Veshaj duket se e ka gjetur tashmë lumturinë në një lidhje të re. Panorama raportoi për një flirt të mundshëm, por tani miqtë pranë aktorit kanë konfirmuar se lidhja me vajzën brune është më shumë se thjesht një thashethem.
Romeo dhe partnerja e tij e re janë parë gjithnjë e më shpesh bashkë në vende publike. Miqtë e afërt, të cilët fillimisht ishin skeptikë për qëndrueshmërinë e kësaj romance, tani tregojnë se vajza e re është bërë një shoqëruese e përhershme e tij, duke qenë pranë artistit në shumë evente dhe aktivitete.
Edhe pse çifti ende nuk ka dalë hapur në publik, kjo nuk i ka penguar njerëzit t’i shohin bashkë në disa ambiente të njohura të Tiranës. Ditët e fundit, Romeo dhe e dashura e tij janë parë në zonën e ish-Bllokut, ku vëllai i tij ka një biznes.
Në një bar të njohur, ata kanë kaluar një mbrëmje të qetë nën shoqërinë e miqve të përbashkët, duke ruajtur një profil të ulët për të mos tërhequr shumë vëmendje.
Pritet që në javët apo muajt e ardhshëm, Romeo dhe partnerja e tij e re të shfaqen publikisht.