Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët anë e mbanë botës
janë tronditur nga vrasja e Liridona Murseli
(Ademaj), porositur dhe organizuar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Në vrasjen që i ngjason një skenari filmash, Naim Murseli
ka përfshirë edhe dy persona, një bashkëfshatar
që ka patur rolin e vrasësit dhe që do merrte 30 mijë Euro, si dhe nipin e tij, i cili është pjesë e FSK-së.
Mediat kosovare kanë dyshime se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë sigurimi i jetës,
që Liridona si shtetase suedeze kishte në Suedi. Sipas tyre,
Naim Murseli pak kohë më parë i ka paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani të fuqishme suedeze.
Sigurimi jetësor ndër të tjera garantonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore, sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Ka dyshime se Murseli duke qenë në dijeni të kësaj shume në rast tragjedie, mund të jetë inspiruar që të organizojë vrasjen e nënës së dy fëmijëve të tij.
Deri më tani ai ka pranuar vetëm autorësinë e organizimit të krimit, por ende s’ka dhënë detaje mbi shkaqet që e shtynë drejt këtij akti të rëndë.