Çfarë është sëmundja akne rozacea, si shfaqet ajo dhe si trajtohet me mënyra natyrale
Të paktën 13 milion njerëz janë të prekur nga Rozacea në botë, edhe pse mendohet që numri mund të jetë shumë herë më i madh dhe në rritje.
Në studion e “Rreze Dielli” në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë çfarë është kjo sëmundje, nga se shkaktohet dhe trajtimi me metoda natyrale.
“Rozacea është një gjendje inflamatore kronike e lëkurës që prek kryesisht fytyrën në hundë dhe faqe” thekson Merja. Shkaktarët e akneve rozacea janë: lëkurë e dobët në pjesën e fytyrës, faktorë të jashtëm që irritojnë lëkurën si grimca apo baktere,
rrezatimi diellor te personat me lëkurë të hollë, çrregullimet hormonale, trashëgimia gjenetike, ndryshimet e temperaturave të menjëhershme, imuniteti i ulët, rritja e përqëndrimit të proteinës katelicinë, puna në kompjuter në qendra tregtare të mbyllura, ankthi, stresi, migrena.
Gjithashtu shkaktar i rozaceas është dhe merimanga mikroskopike demodex, e cila përqendrohet në zonën rreth hundës, faqeve, syve dhe qerpikëve.
Simptomat kryesore të kësaj gjendje inflamatore janë:
– Skuqje e lëkurës dhe kapilarë të dukshëm në pjesën e fytyrës, hundës, ballit
– Puçra në zonën midis hundës, faqeve dhe lëkurës te pjesa midis syve dhe enjtje e gjendrave të yndyrës
– Trashje të epidermës dhe shfaqje puçrash të mëdha me shumë qelb
– Acarim i syve, tharje, kruarje, djegie, ndjesi rëre në sy, kiste në qepalla
– Lëkurë e yndyrshme
– Pore të hapura, lëkurë e skuqur e ashpër
– Puçrat mund të shfaqen edhe në kokë, gjoks, shpinë
– Krijon lëkurë të ndritshme
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregon se kjo sëmundje inflamatore e lëkurës kalon në disa faza, ku në fazën e parë kemi skuqje të lëkurës në faqe, hundë dhe sy. Skuqja thellohet deri në shfaqjen e venave merimangë, ndërsa në fazën e dytë shfaqet fondi i përhershëm i kuq i fytyrës, formimi i puçrave të kuqe dhe pikave me qelb. Në fazën e tretë, komplikimi kur shfaqet Rinofima (trashja e hundës) dhe hapen poret në lëkurë, ndërsa më tej vijon faza e veçantë, ku sëmundja prek sytë me skuqje, tharje, blefarit, kruarje, etj.
Specialisti Merja tregon se si çdo sëmundje tjetër edhe kjo problematikë mund të parandalohet. Ai ndan disa këshilla sesi të frenojmë shfaqjen e rozaceas “Duhet të shmangen pijet alkolike, ushqimet e nxehta, çajrat e nxehta, speci djegës, qumështi, qumështi i sojës, produktet shtazore me yndyrë të lartë. Shmangni qëndrimin në diell nga ora 11:00 – 15:30, mos qëndroni në ajër me pluhura, lagështi, mos kaloni në ambjente me ndryshime temperaturash, pastruesit e lëkurës të mos jenë as acide as me alkool. Për ata që kanë një lëkurë delikate mirë është të pastrojnë fytyrën në mbrëmje me çajra bimore”.
“Sa më herët të niset trajtimi, që në fazën e parë, aq më i lehtë dhe më efikas do të jetë rezultati” thekson Ylli Merja, i cili tregon trajtimin alternativ:
– Shplajmë fytyrën me një çaj bimor: Në 1 litër ujë zieni 2-3 minuta 3 lugë çaj myku, 2 lugë çaji mollë të egra, 1 lugë kamomil, 1 lugë kumak. Shplajmë fytyrën duke përdorur 250 ml çaj dhe 1 lugë kafe sodë buke. Pasi thahet lyejeni fytyrën me ujë trëndafili ose ujë nga manushaqet. Pasi thahet uji i trëndafilit lyejeni fytyrën me krem me helikrisium ku mund të shtoni 5-6 pika esencë kamomili, 3 pika mente. Trajtimi me çaj, ujë trëndafili dhe kremin bëhet 2 herë në ditë
– Për blefaritin bëjmë kompresa me çaj kamomili dhe kokoçeli: Në 0.5 litër ujë zieni 2-3 minuta 2 lugë gjelle kamomil dhe 1 lugë gjelle kokoçel. Bëjmë kompresa të syve çdo darkë 10-12 minuta, për 10 ditë. Pas kompresave lyeni sytë me hudhër 2 herë në ditë.
– Pini 1-2 gota boronicë në ditë për 2-3 javë
– Hani 20 fije shafrani në ditë
– Kur fytyra nxehet e lajmë me çajin ose me lëngun e trangullit
– Kremi mbrojtës me SPF 50-60 mbron fytyrën nga rrezatimi UV
– Ndër ushqimet që ju ndihmojnë: dieta mesdhetare, peshku, fara liri, fara chia, arrat, fasulet, thjerrëzat, antioksidantët, fibrat, ushqimet që përmbajnë zink dhe vitaminë A