Një 55-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës, në Itali.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten në Kalabri dhe punëtori 55-vjeçar shqiptar,
Edison Malaj u godit për vdekje nga një pllakë betoni e cila i ra në kokë.
Aksidenti tragjik në Frascineto (Cosenza) u dëshmua nga kolegët e punës së shqiptarit, të cilët nuk mundën të bënin asgjë për të shmangur tragjedinë.
Edison Malaj po ngarkonte disa pllaka çimentoje në një kamion në sheshin e ish-kantinës sociale, ku po punohet për rinovimin. Pllaka e betonit ishte lidhur me kabllo dhe vinç për t’u vendosur në automjet.
Por papritur, njëri prej kabllove u shkëput duke bërë që pllaka e betonit të bjerë dhe të godasë punëtorin shqiptar i cili ishte në rrugë dhe nuk kishte kohë ta shmangte.
Mbërritja e ambulancës nuk pati asnjë dobi. Karabinierët e Castrovillarit folën me kolegët e punëtorit dhe pronarët e kompanisë që kontraktonte punimet. Prokuroria e Castrovillarit ka urdhëruar sekuestrimin e trupit dhe ka urdhëruar kryerjen e autopsisë së trupit të viktimës.